AlbSpace

Pershendetje!
Ju urojm mireseardhjen!
Kjo eshte nje Webfaqe relativisht e re. Na ndihmoni duke na sugjeruar cfar do te donit ju te gjenit ne kete faqe.

    Lamtumirë shesh e Skënderbe!

    Share
    avatar
    Angel_Dreams
    Admin
    Admin

    Numri i postimeve Numri i postimeve : 259
    Join date : 03/06/2009
    Age : 26
    Location : Albania, Berat

    Roleplay Game
    Game Game: 50

    Lamtumirë shesh e Skënderbe!

    Mesazh  Angel_Dreams prej Wed Nov 23, 2011 8:34 pm

    Dy fjalë histori. Sheshi “Skënderbej” u ideua për herë të parë gjatë pushtimit austro-hungarez të qytetit, në vitet e Luftës I Botërore. Asokohe u krijua emri sheshi “Skënderbej” dhe u fillua lirimi i hapësirës që ishte i zënë me dyqane, baranga, rrënoja, ferra e plehra.


    Në kalim midis viteve ‘20-’30, në kuadër të planit rregullues të qytetit, arkitekti elegant Italian Florestano de Fausto, hartoi projektin e sheshit, që i dha formën e përgjithshme që ai ruan ende sot (ose, që e ruante). Mbi këtë plan u ndërtua lulishtja midis ministrive, u planifikua vendosja e një statuje të Skënderbeut (aty ku u vendos më pas, në vitin 1967) dhe u hap sheshi para bashkisë me një shatërvan të madh rrethor në mes.

    Gjatë pushtimit italian, arkitekti tjetër italian, Gherardo Bosio, nga më të famshmit e kohës, u mor sërish me sheshin “Skënderbej”. Ai bëri disa ndërhyrje në favor të zmadhimit të tij dhe, duke menduar zmadhimin e shpejtë të qytetit, hodhi idenë e shkatërrimit të bashkisë në favor të zmadhimit të sheshit.

    Pas lufte, përgjithësisht u ruajt dhe u ndoqën linjat e planeve italiane, duke vijuar me kufizimin e sheshit në njërin krah me Pallatin e Kulturës.

    Ndërhyrja më e fortë mund të konsiderohet prishja e bashkisë së vjetër dhe ndërtimi në vend të saj i Muzeut Historik, si edhe më pas ngritja e pakuptimtë e statujës së Komandantit si të mos mjaftonte statuja e Heroit Kombëtar.

    Pastaj vijojnë vitet e trazirave, pastaj të kioskave, pastaj të amullisë, pastaj më në fund shqiptarët u kthyen seriozisht të merren me të.

    Në vitin 2003 u miratua studimi francez, i cili kishte të mirat e veta, por edhe ca bishta nga pas, pasi parashikonte ndërtimin brenda sheshit të disa godinave që, ndonëse jo të larta dhe periferike, e prishnin siluetën dhe tërësinë e tij.

    Për fat të mirë, vetëm pak vjet më pas, më 2008-n, u miratua studimi përfundimtar i sheshit, i quajturi projekti belg, i cili jo vetëm që rregullonte gabimin e mëparshëm, duke anuluar të gjitha ndërtimet në shesh, por krijonte përfundimisht një hapësirë të madhe, të vetmen e këtij lloji në të gjitha trojet shqiptare.

    Filluan punimet, që ndoshta u zgjatën ca si shumë kur... papritur, me ndryshimin e kreut të bashkisë, i pari që e hëngri në brinjë qe sheshi.

    Sot. Thonë se pas ca ditësh do të përurohen punimet e kryera. E gjithë hapësira e dikurshme e sheshit do të jetë e zënë me shtigje rrugore të asfaltuara, copëra trotuaresh, pemë të mbjella kuturu, dhe mbi të gjitha, me një kodër të madhe dheu bash në mes të tij. Gjen gjithçka aty, përveç sheshit. Ka leje s’ka leje, kush e bëri projektin, ku dhe kush e ka miratuar, ku u gjendën paratë, a hapi gojë Instituti i Monumenteve, po Inspektorati i Mjedisit, kush po i financon punimet, cila firmë po punon në shesh, me çfarë tenderi, kush...? Të gjitha këto dhe të tjera pyetje të dalin menjëherë përpara, por s’kam ndërmend të merrem me to. As janë ndalur ndonjëherë barbarët me pyetje, e as që bën vaki të ndodhë këtu, ku barbarët kanë zënë me pushkë në dorë derën e kryeqytetit. Thjesht dua të ndaj me ju o lexonjës, keqardhjen që ndiej përbrenda, pasi nga sheshi tani do të mbetet vetëm emri, pasi vetëm shesh nuk ka më aty.

    Na u deshën 500 vjet që ta zbresim Skënderbenë nga mali dhe ta kthejmë në një hero të qytetërimit, duke e vendosur midis një sheshi, ndërsa tani këta, me atë kodrën që kanë ngritur përpara kalit të tij dhe me pemët që e kanë mbuluar, na i kthyen sërish Heroin midis maleve nga kanë zbritur vetë, pa mësuar asgjë nga shekulli në të cilin rrojnë.

    S’kanë faj, subkoshienca e malit nga kanë zbritur nuk i lë të qetë të ndjehen mirë midis një sheshi ku diskutohet dhe … e gjejnë zgjidhjen, e bëjnë sërish sheshin të ngjajë si mal e pyll.

    Sinqerisht, nuk e kam hallin të demaskoj a të bëj qesharake qeverisjen e sotme, se s’ka nevojë ajo që t’i ndih unë në këtë punë, por vërtet besoj në këto që them. Sipas meje, është thjesht frika instiktive e njerëzve të pyllit të ardhur në pushtet dhe që nuk e durojnë dot hapësirën hapur. Epo ka nevojë Tirana për gjelbërim, të thonë. Po, është e vërtetë, por nuk mbillet sheshi kryesor i vendit, por shtohen parqet e qytetit! Të paaftë të shtojnë parqet e lulishtet, përpiqen të na trajtojnë si njerëz të egjër, që mezi presim të hipim nëpër pemë.

    Të zësh sheshet me pemë, në një farë mënyre është kthim pas, ashtu si shekuj më parë, kur Perandoria Romake u shemb nën peshën e dyndjeve barbare dhe sheshet e mermerta të qyteteve për shekuj me radhë i mbuloi bari dhe ferrat. Në rastin e Romës, kishim barbarizim të shoqërisë nga poshtë, ndërsa në rastin tonë, kemi tharje të jetës për shkak të barbarizimit të politikës nga lart. Sheshet e qyteteve kanë lindur si pika qendrore të polis-it, ku mblidheshin njerëzit, diskutonin, shkëmbenin idetë dhe madje edhe protestonin. Ky ka qenë e vazhdon të jetë në botën e qytetëruar, roli i sheshit të qytetit. Të përpiqesh ta zësh me pemë, tregon që përveç se je impotent në krijimin e hapësirave të reja urbane, por je edhe i lig e frikacak, se i trembesh grumbullimit të qytetarëve të tu. Mirë na e bëjnë, që kurse i mbajmë mbi kurriz!

    Me zhdukjen e sheshit ‘Skënderbej’, zhduket edhe një tjetër simbol, shatërvani qendror i tij. Që kur ka qenë konceptuar sheshi, ai ka pasur një shatërvan në qendër, i cili i ndërtuar në vitet ‘30, i mbijetoi edhe gjermanëve, që vendosën aty një tank gjatë ditëve të çlirimit të Tiranës. Pastaj shatërvani u rivendos në punë, për t’u prishur përfundimisht në vitet ’70, kur u zëvendësua me atë shatërvanin tjetër të cilin e kujtojmë edhe ne. Madje, edhe plani belg e ruante konceptin e ujit në shesh përmes rrjedhjeve dhe baseneve që do vendoseshin nëpër të. Tani, me malin e ngritur para hundës së Skënderbeut, edhe ky koncept u varros. Jo më kot po zgjatem tek shatërvani, pasi ata nga pikëpamja sociale më tepër se zbukurime, konsiderohen si simbole.

    Shatërvanët janë një nga simbolet e qytetërimit të zhvilluar. Arsyeja është e thjeshtë. Për të bërë një shatërvan duhet të kesh ose të krijosh një shesh, të bësh projektin, të kesh një skulptor a artist që t’i japë formën e një vepre arti, të sjellësh një burim uji që ta furnizojë paprerë, por pastaj, pas ndërtimit, duhet edhe ta mirëmbash, se i gjithë ky impiant është delikat. Për më tepër, vlente kjo gjë dikur, kur uji duhej të vinte e të hidhej përpjetë me rënie të lirë e jo me sistem pompash. Vini re për shembull, asnjë nga shatërvanët e ngritur e ringritur në Tiranë në gjysmëshekullin e fundit nuk funksionon ose janë shkatërruar. Më jepni një arsye, që një historian a sociolog në këtë pikë, të mos shkruajë nesër se qytetërimi shqiptar bëri kështu edhe një hap pas.

    Për elemente të veçanta unë e kam pas kritikuar edhe projektin belg të Edi Ramës për sheshin dhe kjo është e natyrshme. E natyrshme, sepse çdo qytetar ka të drejtë të ketë mendimin e vet dhe për më tepër kur beson se realisht mund të japë kontribut përmirësues. Por asokohe flisnim për elemente e për finesa, të pamendueshme tani që këta po i bien me top e me kazmë të gjithës, duke na i zhdukur për fare sheshin e duke na i kthyer në mal, si ato malet nga të cilat kanë zbritur duke mbetur po aq të pazbutur si kur ishin atje lart.

    Edhe një element tjetër që ndoshta e keni harruar. Jetë e mot sheshi ‘Skënderbej’ ka qenë shtruar me plloça asfalti, si i gjithë bulevardi. Edhe ky ishte një element që për sa e zbukuronte sheshin, kërkonte kujdes e mirëmbajtje të vazhdueshme. Tani e shtruan me asfalt rifuxho, ashtu sikundër edhe rrugën a rrugicën më të rëndomtë të provincës. Aman Tan, do më thoni, edhe me bajga le ta shtrojë, veç ta shtrojë, se na çmendi dhe na shkatërroi makinat! Po pra, kjo është një tjetër shpikje perverse e politikës shqiptare: Lëri gjërat të venë keq e më keq, që kur të bësh ndonjë punë sado të vogël, t’u duket njerëzve sikur ke bërë kushedi se ç’ë. E kini vënë re se me sa ngadalë punohet në veprat publike në Shqipëri!? Arsyeja është shumë e thjeshtë. Është një mënyrë për t’u dukur sikur punohet. Duke e zgjatur punën tërkuzë, e tërkuzë, e tërkuzë, e para krijohet një imazh sikur këtu vazhdimisht punohet; e dyta, edhe në qoftë se nuk i ke paratë e mjaftueshme, duke e zgjatur me vite të tëra, një ditë do t’i gjesh; dhe e treta, i jep elektoratit imazhin se po bën vepra të mëdha. Se, ç’vepër e madhe do të ish ajo që mbarohet në një muaj apo dy!?

    Fantazi. Kryetari i bashkisë më thërret në zyrë dhe më thotë: “Zoti Lame, nuk më pëlqen projekti i Edi Ramës për sheshin ndaj dua të bëj një tjetër. Po ta ngarkoj ty këtë projekt”. Ç’do bëja unë? Do ikja me vrap e do merrja malet duke bërtitur: “Po pse ore, kështu bëhet sheshi kryesor i Tiranës, duke ja ngarkuar kujt të do mideja ty?”. Po ta zëmë se nuk ika me vrap, ç’do bëja? Do ulesha e do nxirrja nga dollapët gjithë projektet e dikurshme të sheshit, do përpiqesha të kuptoja arsyet e atyre arkitektëve të shquar të së shkuarës kur i kanë dhënë formë sheshit, do pyesja lart e posh, do takoja e kë nuk do takoja, do përpiqesha që të risillja në jetë në mos të tërën, pjesë të projekteve të vjetra, që kështu të kishte vazhdimësi historike dhe në fund, do i shkoja kryetarit t’i thosha se: “Unë mendoj kështu e kështu, por e mira është t’i kthehesh mendjes së të vjetërve, se dinin më shumë”. Kështu unë, që pretendoj se diç di nga e shkuara e këtij qyteti!

    Por jo, kuraja e të padijshmit është e paparë. Projektin që po zbatohet e ka bërë, nuk e di askush se kush, dhe me ç’kurajë e ka marrë përsipër një barrë të tillë. Sheshi kryesor jo thjesht i një qyteti, as sheshi kryesor i një kryeqyteti, por bash sheshi me emrin e Heroit Kombëtar të një kombi që është njëkohësisht edhe sheshi i të 8 milionë anëtarëve të këtij kombi!!!. Ufaa, nuk ja vlen të shtoj më as pikëçuditëse.

      Ora është Tue Jun 27, 2017 6:58 pm