Andon Zako Çajupi
Fragment nga drama "Burri i Dheut"
Murati*)
Ndëgjo mirë se ç'të themi,
Të duamë gjithë ç'jemi
sulltana, një shqipëtarkë,
të mban për drek' e për darkë,
dhe unë, ti e di vetë,
të nderoj me të vërtetë,
të mirat që të kam bërë
i di, zonjë, bot' e tërë.
Të dua si time bijë,
prandaj rende mos te vije,
Tani nder' i Shqiperise
dhe madhëri e Turqisë
një punë nga ti kërkojnë
dhe mir e ndë paq' të rrojnë.
Duhetë, ti dhe Selimi,
q'u rrëfye kaqë trimi,
me luftëra që ka bërë
q'e lëvdon një bot' e tërë,
duhetë, them të bashkoni
dhe që sonte, të martoni.
Të kam dashur si një pjellë,
shumë ligsht më je sjellë,
po shumë do të të dua,
zonjë, po të ndëgjosh mua,
ndryshe do të qash me lot,
se me mua s'e nxjerr dot.
Mamica
0 sulltan, mos me trëmb mua,
se nuk jam si çdo grua,
ti e di mirë se ç'jeshë
dhe ç'jam; bijë mbretëreshë.
Jam bij' e Kastriotit,
c atij trimi që vare,
mos harro, jam shqipëtare!
Po ç'mund të bëj e mjera,
kur s'mund të dal dot nga dera,
kur jam mbyllur ndë pallas
si një zog ndë një kafaz!
Po ndëgjo, sulltan Murati:
Kastrioti ç'faj të pati,
që vrave me të pabesë
katrë djemt' e vetë pesë?
Ay të dha miqësinë,
ashtu si kërkove tinë
dhe djemtë peng t'i dërgoi
fatziu, se të besoi.
Me ç'ke bërë ti për mua,
qahesh se nukë të dua
dhe çuditesh, egërsirë,
se nukë të sillem mirë?
Qahesh sikur s'e di shkaknë,
gjaku, sulltan, kërkon gjaknë!
Kur s'ka princër shqipëtarë
për mua mbeti kjo barrë;
zot, n'ësht' e rëndë për mua,
me pahir të vdes, ç'e dua,
ç'e dua, zot, jetën time,
kur jam e shkretë, jetime?
Zot, ç'e dua këtë jetë,
kur s'mund të marr gjaknë vetë?
Kur shoh vendë tek kam lerë
të zotuar nga të tjerë!
Kur shoh armikn' e shtëpisë,
q'është mbret' i Shqipërisë!
Kur shoh atë që ka vrarë
tim at' me fis e me farë;
kur e shoh ndë këtë jetë
të kënaqur e të qetë!
Kur e ndëgjoj të më thotë,
që s'ka tjetër mbret ndë bote
Gëzohem, sulltan Murati,
se shoh që të zu inati
për një grua shqipëtare,
që nukë të peshon fare,
edhe të shtyn, duke share,
ta vraç një ditë më parë,
se do të vdesë më nairë,
se të shoh një egërsirë.
Më le, duketë të gjallë
që të më martosh me djalë,
edhe, për nder të krushqisë,
më fal fron' e Shqipërisë!
S'është jotja Shqipëria,
Jo! E gjeç nga perëndia!
Dhe fron' e saj nuk e dua
me gjak nga duart' e tua!
Ay që do të më marrë,
të lajë gjaknë më parë...
Sa për Selimnë, të qoftë!
Është djali yt, të rroftë!
Murat, të birë tënd kurrë
Mamica s'e do për burrë,
se s'do të të bëjë vjehrr,
se nukë të bën dot nder;
bijë mbreti shqipëtare,
Mamica s'të peshon fare.
Murati
Me këto fjalë që thua,
sikur të mos jeshe grua
do të më zinte inati,
do të shoje ç'bën Murati,
me gjithë ç'fole për mua,
unë përsëri te dua.
Më vjen keq se gjithë ç'bëra
për ty, vanë dëm të tëra:
më vjen keq se, po të doje
tani ndryshe do të rroje;
do të keshe kupëtuar,
sa mirë të kam qëndruar,
të dua si time bijë,
Mamica, keq të të vijë,
për veten tënde më parë,
ti kuvëndon si e marrë,
të lashë thuaj të gjallë,
të të marr nuse për djalë,
që të më shtohet fuqia
ndë vend tënd; po Shqipëria,
Shqipëria jote trime
është sot ndë dorë time,
atje për ty s'ka nevojë
Selimi të mbretërojë.
Sot shqipëtarët më duan,
sa dhe besën e ndërruan:
myslimanë që të tërë
sot pak janë të krishterë;
Shqipëtarët myslimanë
mbret' e pejgamer më kanë
dhe përgjërohen për mua.
Me këto fjalë që thua
ti nuk' i di, shqipëtarët
nuk janë si të parët,
që vriteshin për lirinë;
sot janë ndënë Turqinë,
kanë zakone të tjera,
duan nishane, rytbera,*l) titull, pozitë)
vetëm një trimëri kanë
të vritenë për sulltanë,
vetëm një shpërblim kërkojnë;
t'i mburrin e t'i lëvdojnë,
dhe s'kanë tjatër dëshirë
janë shumë zemërmirë,
dhe punojnë për të tjerë...
Nukë janë si një herë;
liri s'dinë ç'do me thënë,
këto ndjenja i përzënë,
se s'e duan Shqipërinë,
po luftojnë për Turqinë,
janë kaq trima, burra,
sa s'u bën para lëkura
dhe vriten me njëri-jetrë
sot, për një gunë të vjetrë.
Shqipëria u ndërrua,
nga faq' e dheut u shua,
sot viset e Shqipërisë
janë një cop' e Turqisë.
Ata njerëz që më nderojnë,
këtu si duan punojnë,
vrasën, presën, han' e pinë,
se kanë ndihmë Turqinë.
Ndonjë prej ta, kur ngre kokë,
me pak a me shumë shokë
sot s'mënojmë ta qërojmë
me të fala q'u dërgojë...
Këtu mbretëroj pa frikë,
se janë burra besnikë,
prandaj trimat që kam pranë
gjithë shqipëtarë janë,
s'duan tjatër mbret, veç mua,
pastaj zotrote je grua,
nukë them, se s'je nga sua,
po yt' at sot u harrua.
Mamica
Mendjen time ta rrefeva
qenke m'i lik seç pandeva,
nukë paske gjak ndë faqe,
kur pandeh se më kënaqe
me këto fjalë që fole.
Me kaqë prova që solle
për trimatë shqipëtarë,
duke nuk i ke dhe parë,
i gjete gafil,1) i qeshe
prandaj punove si deshe;
po Shqipëria s'u shua
dhe dita u afrua,
që do të ndizet si zjarr,
të shoç ç'punon shqipëtari,
të ligatë që ke bërë
ndë turq edhe në të krishterë
edhe gjakn' e Kastriotit,
një ditë do ta paguash.
Friko, mburru sa të duash.
prishe, digje Shqipërinë,
me shumë ia shton fuqinë,
më tepër ia shton inatnë
për Turqinë, për Muratnë,
sado të bësh të këqia
s'humbet kurrë Shqipëria;
për lirinë, shqipëtarët,
si të sotmit2) dhe të parët,
kanë vdekur, do të vdesën.
Mburre, q'u ndërrove besën
dhe pandeh se i ke ndarë?
Ti nuk i njeh shqipëtarë:
myslyman e të krishterë
janë vëllezër të tërë,
kanë një gjak dhe një shpresë,
nuk kanë tjetër besë,
dëshirë kanë lirinë
dhe besë shqipëtarinë.
Leri të sharat mënjanë,
se hie nuk të kanë,
Murat, leri qesënditë,
se do të vijë një ditë,
dit' e bardhë, dit' e mbarë,
që do të bëjnë varrë
nukë të vjen turp një çikë?
Si s'më binde dot me frikë,
zure me ca dhelpërira,
dhe me ca fjalë të mira
të më qeç') e të më thuash,
të punoj si që të duash.
Guxon më flet për tim atë,
që vrave vetë me dorë,
dhe për njerzt' e mi të tjerë,
që dërgove dhe u therë!
Shihni, shihni gjakëtorë
që flet për këta shënjëtorë!
Guxon të më këshillojë,
ju thaftë gjuha në gojë!...
Murati
Ti qënke vërtet e marrë,
nukë lodhesh duke sharë?
Si guxon e flet për mua?
Nuk e di se, po të dua,
të pres kokën?
Mamica
E di mirë,
se ti je një egërsirë,
egërsirë si ariu,
me fytyrë si njeriu.
Nuk të shoh dot përpara,
prandaj dua me të shara,
Murat, të të çoj inatnë,
të më vraç si dhe tim atë:
thermë me duar të tua,
pse trëmbesh sot nga një grua?
Ti do të më lesh ndë jetë,
se ke një qëllim të fshehtë
do të m'apsh Selimnë burrë,
se do të të bëhesh urë,
të bëhem urë të shkosh,
ndë vend tim të mbretërosh.
Jo, Murat, jo! Shqipëria
s'ësht' jotja. Perëndia
e mërgoftë nga ky tmerr.
Murati
N'ësht' jotja, pse s'e merr,
kur mund ta març pa lëftuar,
kur ta 'fal me të dy duar,
ecë zëre, paç uratë,
fronë që të la yt atë.
Po të kesh Selimnë burrë,
Këtë fron s'e humbet kurrë,
do ta trashëgosh përjetë,
se është trim i vërtetë.
Mirë, mua mos më duaj,
se jam i lik, si më thuaj,
se të verbon zemërimi,
po ç'të ka bërë Selimi?
Pse rrëfenesh zëmërgurtë
sot për një trim kaqë t'urtë?
Ka trim ndë këtë botë
më të mir' e më të zotë?
Ti nga se nuk e do vallë?
Mamica
S'e dua. se e ke djalë')
mos ma trego, e di vetë
q'është trim me të vërtetë;
vendet që ka sot ndër duar,
ay trim i ka zotuar;
tërë bota e lëvdojnë
me gisht të tër' e tregojnë,
Selimi shum' u ndëgjua.
Do të qe burrë për mua,
të mos e keshe ti djalë,
këtë trim kaqë të rrallë.
Murat, preje këtë shprese,
hiq dorë nga kjo martesë,
se Selimi zëmërmirë
s'ka sot të tillë dëshirë,
dhe di që s'mund ta marre burre,
kjo krushqi s'bëhet dot kurrë,
Mamica, të thonë, mori
të bir' e një gjakëtori?
Sot' bij' e Kastriotit,
o sulltan, s'trëmbet të vdesë,
po s'e do këtë martesë,
thermë, vramë, e ke në dorë,
po me një turk s'vë kurorë.
Dua burrë shqipëtar,
burrë tjetër nukë marr,
burri që do të më marrë,
eshtë mbret per shqipëtarë,
dhe këta, sido që thuaj,
nuk duan mbret të huaj,
Murrat, kete dije mire:
Ose me ler sot te lire
dhe m'ep prapë ç'më ke marrë,
mbretëri ndër shqipëtarë,
a, në mos ke këto mënde,
thermë sot me dorë tënde.
Shqipëria s'pret nga mua,
s'ka nevojë për një grua.
Sot lajme të mira mora:
të ka shpëtuar nga dora
Skënderbeu Kastrioti.
im vëlla, me faltë zoti.
N'është e vërtetë kjo fjale,
në kam sot vëlla të gjallë,
është mbret' i Shqipërisë,
dridhu, sulltan' i Turqisë,
dhe futu vëtë mbë vërë,
se shumë faje ke bërë.
Murati
Ah' Beson këtë përrallë
që ke një vëlla të gjallë?
Yt vëlla, moj kokëtrashë,
ka vdekur, po ti shëndoshe,
ka njëzet vjet q'u varros,
tani u tret e u sos.
Mamica
Mjaft, se nga fjalët e tua
zemëra m'u copëtua.
E di, këto janë fjalë,
e di, kjo është përrallë,
Murat, unë te di mirë,
Skënderbeut ia ke pirë
gjaknë, qëkur ishte djalë,
po ay trim që ka dalë
Murati
sot si bir' i Kastriotit,
duket do të ketë ngjarë
dhe gjaknë do t'ia marrë.
Sot vetë kam për të dalë,
të vërtetoj këtë fjalë,
ta gjej kudo që të jetë,
ta njoh për vëlla të vetë;
shqipëtarët do besojnë,
do të ngrihen, të lëftojnë.
Sot duhetë të pandejnë
që shikojnë Skënderbejnë
dhe kështu, ne ktë mënyrë,
o sulltan me dy fytyrë,
që nukë fryhesh me gjak,
mbase t'i vimë për hak...
Murati
Bushtrë, me këtë kuvend
tani do të të vë mend.
Të ka marrë koka erë,
do të bësh dhe shok të tjerë,
dhe me ca fjalë të rrëme,
të më punoni llagëme?1)
Me të sharat që ndëgjova,
dosë, shumë të durova,
tani t'u mbarua fati
se tepëroi inati;
nesër nisu ja për ,varr,
ja për martesë!
Mamica
Barbar,
Mamica s'trëmbet të vdesë,
po s'do të tillë martesë!
Murati
Nesër shomë.
Mamica
Ç'do të shoç?
Murati
Burr' a varr do të kërkosh.
*) Fragmenti është marrë nga drama në vargje «Burri i dheut». Drama u mbarua në vitin 1907. Miku i Çajupit, Sofokli Çapi e botoi në Kajro të Egjiptit (1937) veprën e lënë dorëshkrim. Çajupi shkruante se këtë dramë ia kushtoi atdheut dhe njëkohësisht porosiste të birin,
Stefanin, që të nderonte përherë kujtimin e heroit të madh, Skënderbeut:
Me këtë vepër që shkrova,
për atdhenë them •punova,
dhe për djalën tim Stefanë,
që të kujtojë babane
të nderojë Skënderbenë
që ka nderuar atdhene!
Subjekti i saj ka të bëjë me ngjarje që zhvillohen në pallatin e sulltan Muratit. Problemi themelor është njohja e Skënderbeut të vërtetë, «zhdukja» e të cilit është ndërthurur në një intrigë disi të ngatërruar. Dihet historia e zhdukjes së djemve të Gjon Kastriotit, por në ç'rrethana shpëtoi Gjergji?
Rreth këtij shqetesimi Çajupi thurri nje subjekt, i cili, siç thote vetë në parathënie, nuk i përgjigjet me besnikëri fakteve historike. Sipas këtij subjekti, Skënderbeu shpëtoi në sajë të përpjekjeve të Fatimesë, një grua shqiptare, e cila ka pranuar të martohet me sulltanin pikërisht për të kryer këtë mision të rëndësishëm. Në fshehtësi të madhe, ajo ka këmbyer djalin e sulltanit, Selimin, me Skënderbeun, që u rrit sikur të ishte i biri i sulltanit. Në një çast të caktuar, kjo e fshehtë del në shesh dhe fillon hakmarrja e shqiptarëve kundër sulltan Muratit dhe vëllait të tij. Në këtë fragment do të ndiqni
dialogun e ashpër e të ten-sionuar midis sulltan Muratit dhe Mamicës, motrës së Skë-nderbeut. Për të arritur synimet e tij, Murati do ta martojë Selimin (të cilin e pandeh si birin e vet) me Mamicën. Ky dialog përbën rastet më të arriratë dramës, ku, në mënyrë të vecantë, spikat portreti i Mamicës, vajzës me cilësi të larta morale.