AlbSpace

Pershendetje!
Ju urojm mireseardhjen!
Kjo eshte nje Webfaqe relativisht e re. Na ndihmoni duke na sugjeruar cfar do te donit ju te gjenit ne kete faqe.

    " Antiamerikanizmi " Nje shpifje kunder lirise se kritikes

    Share
    avatar
    Angel_Dreams
    Admin
    Admin

    Numri i postimeve Numri i postimeve : 259
    Join date : 03/06/2009
    Age : 26
    Location : Albania, Berat

    Roleplay Game
    Game Game: 50

    " Antiamerikanizmi " Nje shpifje kunder lirise se kritikes

    Mesazh  Angel_Dreams prej Wed Nov 23, 2011 7:33 pm

    Në çështjet e trajtuara në librin “Komploti kundër Lirisë”, që po i jepet për herë të parë lexuesit shqiptar në Panairin e Librit nga shtëpia botuese “Onufri”, Andrea Stefani ka edhe një trajtesë të shkurtër mbi debatin që shkaktuan një valë kritikash për diplomacinë amerikane, dhe përgjithësisht perëndimore në Tiranë, menjëherë pas masakrës së 21 janarit ku gardistët e Berishës, vranë 4 protestues të pafajshëm në dyert e Kryeministrisë. Një krim që nuk është zbardhur as sot e kësaj dite për shkak të presioneve dhe intrigave të pushtetit berishist. Qarqe mediatike pranë pushtetit u përpoqën t’i paraqesin dinakërisht kritikat si gjoja frymë antiamerikane. Ishte një taktikë kundër lirisë së kritikës që u hodh poshtë edhe nga vetë ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.

    Ja ç’shkruan Andrea Stefani në faqet e “Komplotit” për këtë çështje:

    Digresion për Amerikën dhe antiamerikanizmin

    Kritikat që ngrihen në këto radhë për performancën e dobët të diplomacisë amerikane dhe përgjithësisht perëndimore në Shqipëri, për verbërinë që ka dëshmuar kjo diplomaci, në momente të caktuara, ndaj dhunimit të parimeve të lirisë, nuk është antiamerikanizëm, sikundër do nxitonin ta etiketonin berishistët, por ushtrim i lirisë për të shprehur atë që mendon. Dhe liria e gjithçkaje që ushqen lirinë, është shpirti i SHBA, i shtetit dhe popullit amerikan. Krejt në kundërshtim me këtë frymë, që është thelbi i qytetërimit amerikan, disa analistë që kanë guxuar të kritikojnë ambasadën amerikane në Tiranë, apo edhe zyrtarë të lartë të SHBA, për qëndrimet oportuniste ndaj autokratit Berisha, janë etiketuar së fundi, nga mbështetësit dhe propaganda e pushtetit berishist si antiamerikanë.
    Në SHBA nuk është dëgjuar kurrë që një gazetar të shpallet antiamerikan, sepse paska kritikuar Presidentin apo qeverinë e SHBA. Një nga lavditë e Jozef Pulicerit (Joseph Pulittzer), është se mposhti edhe qeverinë amerikane në gjyqin për korrupsionin e kanalit të Panamasë. Nëse në Amerikë do kishin nisur ta etiketonin kritikën për qeverinë si antiamerikanizëm, gjithçka do kish degjeneruar në gjueti shtrigash dhe liria e kritikës dhe e fjalës do kishin vdekur me kohë. E bashkë me to edhe vetë demokracia e liria në Amerikë. Sepse i pari që duhet të përfundonte në qeli, do të ishte, për shembull, regjisori i famshëm Majkëll Mur (Michael Moore) apo politologu Naom Çomski (Noam Chomsky). E kushedi sesa të tjerë. Amerika është themeluar mbi lirinë e kritikës. Por ja në Shqipëri këmbëngulin që t’i etiketojnë si antiamerikanë gazetarët që guxojnë të kritikojnë një ambasador apo ndonjë zyrtar të lartë amerikan. Tipik ishte një prononcim i Artur Zhejit me moton: “Antiamerikanizmi është antishqiptarizëm”. Bëhej një lidhje e shkurtër: Amerika është mike e Shqipërisë, prandaj kush kritikon Amerikën është armik i Shqipërisë. Si përherë. në orvatje të tilla sharlataneske, synohej që lirisë së kritikës t’i kundërvihej interesi kombëtar. Harrohej të saktësohej se Amerika është shumë më tepër sesa një ambasador i saj në Tiranë e kudo në botë, se Amerika është madje shumë më tepër se vetë qeveria apo Presidenti i radhës i SHBA, që Amerika është populli amerikan. Harrohej të theksohej se është amerikane dhe medisoniane të besosh se edhe një president apo ambasador janë njerëz dhe se njerëzit, përgjithësisht, pavarësisht se mund të tentojnë të mirën, përfundojnë duke bërë jo pak herë keq. Harrohej motoja e lashtë “se të gabosh është njerëzore” dhe se prandaj, të vraposh t’i falësh kujtdo qeverie në botë, qoftë edhe asaj amerikane, atributin e pagabueshmërisë dhe të pakritikueshmes do të thotë të krijosh një kult të pakritikueshëm. Harrohej të theksohej se para se të jetë antishqiptarizëm, antiamerikanizmi është antiliri dhe antidemokraci dhe se kryqëzata që po organizohej nën flamurin e antiamerikanizmit kundër gazetarëve që guxonin të kritikonin edhe “Amerikën”, ngjasonte me një gjueti shtrigash pjesë e propagandës së pushtetit berishist që ishte i njohur për luftën kundër fjalës së lirë. Harrohej të thuhej se tashmë është provuar që çdo pushtet antidemokratik, armik i lirive dhe i fjalës së lirë, do të vijë një moment që do konfrontohet me Amerikën. Sepse SHBA është republika e lirisë dhe politika e saj, herët apo vonë, nuk mund të mos bëhet pengesë për sundimtarët dhe pushtetet antiliri.
    E gjitha qe një propagandë që nuk përton, në asnjë rast, ta paraqesë Berishën si mik të amerikanëve. Dhe në silogjizëm banal, kush kritikon Berishën është edhe armik i amerikanëve dhe i Shqipërisë. Në këtë rrafsh ishte shumë me vlerë një prononcim publik i ambasadorit Aleksandër Arvizu (Alexander Arvizu). Në një intervistë dhënë për televizionin “Ora News” në shtator 2011, në përgjigje të një pyetjeje të moderatores Ilva Tare mbi gjoja “rritjen e ndjenjës së antiamerikanizmit”, pas ngjarjeve të 21 janarit, të shfaqur nga disa analistë shqiptarë”. Në të vërtetë, kish pasur vetëm një shtim të kritikave. Veçanërisht pasi ambasadori Arvizu përgëzoi Berishën me apelacionin e njohur të diplomacisë amerikane “burrë shteti”, pak ditë pas vrasjes të katër protestuesve të pafajshëm. Ndaj dhe vetë Arvizu do deklaronte:
    “Mendoj se bëhet fjalë për dy fenomene të ndryshme. I pari ka lidhje me kriticizmin ndaj SHBA-së dhe i dyti është antiamerikanizmi. Të flasim për kriticizmin dhe mendoj se është e rëndësishme dhe madje të gjithë e kuptojnë që është në rregull të kritikosh SHBA-të. Për kriticizmin ndihem mjaft komod, por mendoj gjithashtu se është ndihmues, mesa ai ndihmon. Le të flasim për katër komentatorë, shkrimet e të cilëve unë përpiqem t’i lexoj, për shembull Andi Bushati, Andrea Stefani, Mustafa Nano dhe Skënder Minxhozi. Mendoj që të katër ata janë miq të SHBA, sigurisht janë miq të mi, por të katër kanë shkruar gjëra që kanë qenë kritike, madje edhe për mua personalisht”.
    Ky reagim i ambasadorit Arvizu ishte një ndër ato qëndrime në përputhje me atë frymë që e ka bërë SHBA kampion të lirisë në botë. Një akt tejet emancipues për politikë. Por veçanërisht për median shqiptare, mjerisht të mbushur me shërbëtorë mediokër të pushtetit që bredhin me lupë në dorë për të qëmtuar armiq të SHBA mes gazetarëve shqiptarë. A nuk bridhnin po kështu spiunët e Sigurimit për të zbuluar kush shante Stalinin, Enverin, partinë dhe për t’i shpallur antishqiptarë e për t’i pushkatuar në emër të shqiptarëve? Tradita e zezë inkuizitive po nxirrte kokën përsëri.
    Fatmirësisht, prononcimi i ambasadorit amerikan që krejt i kundërt me atë traditë intolerante dhe inkuizitive, mjerisht tipike edhe për politikën shqiptare, që edhe pse sot nuk e pushkaton apo burgos dot kritikën, gjen mënyrën për ta persekutuar, denigruar apo terrorizuar duke tentuar ta shpallë armike të popullit dhe të Amerikës. E megjithëse Arvizu foli shumë qartë, puthadorët e regjimit vazhduan në refrenin antiliri (pra antiamerikan) të “antiamerikanizmit”. Sepse mendësia e tyre e kalbur antiliri nuk arrin të kuptojë se është amerikane të kritikosh Amerikën, se kur je në anën e lirisë, je në anën e Amerikës edhe kur e kritikon Amerikën. Ajo nuk kupton dot se mund të thuash gjithë ditën se je me Amerikën, por në fakt je kundër saj, për sa kohë je kundër lirisë së fjalës, lirisë së kritikës, lirisë së institucioneve që mbrojnë lirinë e të drejtat e qytetarëve pikërisht nga arrogancat e qeverive. Asaj s’ia rrok dot truri i mbyllur se ka momente kur edhe një qeveri amerikane mund të bëjë akte që janë kundër Amerikës pra, kundër popullit amerikan, dhe se t’i kritikosh këto akte, do të thotë të jesh me Amerikën. Tashmë bota ka konsoliduar një të vërtetë aksiomatike: Kush është me lirinë është me Amerikën, kush është kundër lirisë, është edhe kundër Amerikës.
    Autori i këtyre rreshtave është një ndër gazetarët e parë shqiptarë të trajnuar në SHBA në fillimet e tranzicionit. Më pas puna më ka shpënë shumë herë atje. Dhe në kontakt me gazetarë, zyrtarë dhe qytetarë amerikanë, kam marrë kuptimin e parë për parimet e lirisë dhe misionin e një gazetarie të pavarur. Ndaj e kisha të vështirë të besoja se diplomatë apo zyrtarë të shtetit më të fuqishëm demokratik në botë, mund të mbështesnin, si realpolitikë, një të ardhme pa liri për një vend si Shqipëria, vend që ka hequr shumë në skllavëri. Gjithçka ndodhte, isha i prirur ta perceptoja si shkarje nga normalja dhe shpresoja se gjërat do të ndreqeshin shpejt. Por kur më vonë pata rastin të shfletoj libra, si “Sulmi mbi Arsyen” të Al Gor, që jepnin alarmin mbi gërvishtjet që qeveria Bush i kish bërë mendimit ndryshe në SHBA, nisa të shoh se më shumë se me një shkarje, kishim të bënim me një politikë. Konstatim që megjithëse nuk më lëkundi besimin se SHBA si shtet pra dhe si popull, do të mbetej një mbrojtëse e vendosur e lirisë në botë, gjithsesi, më bëri të kuptoj më qartë diçka nga ajo që ka qenë e pa shpjegueshme dhe e errët në pozicionimet e diplomacisë amerikane në Tiranë. Në radhë të parë shurdhërinë e saj për alarmet e ngritura edhe nga shoqëria civile e media, mbi rrezikun që i kanosej demokracisë liberale nga autoritarizmi berishist që, në rastin e amendimeve të Kushtetutës në prill 2008, arriti të sigurojë edhe aleancën e gabuar të socialistëve.
    Pas masakrës së 21 janarit pati shtim të kritikave në media jo vetëm ndaj diplomacisë në SHBA, por edhe asaj perëndimore në tërësi. Sepse pikërisht në atë kohë, opinioni shqiptar pati mundësi të perceptojë një qëndrim të dyfishtë të diplomacisë perëndimore, në raport me demokracinë dhe lirinë e një vendi. Shkak u bënë zhvillimet në Tunizi e më pas ato në Egjipt, Libi etj. Shqiptarët patën mundësi të shikonin jo vetëm qëndrimin e mjaft shteteve perëndimore në krah të autokratëve kundër demonstruesve por edhe zhvendosjen e mbështetjes perëndimore në krahun tjetër, vetëm pasi ishte bërë e qartë se autokratë si Ben Ali apo Mubarak nuk mund ta zotëronin situatën në shtetet që i kishin sunduar për dekada. Ishte e qartë se jo pak shtete perëndimore, kish momente, sikur nuk e kishin për gjë, ta sakrifikonin lirinë e popullatave në shtete të ndryshme, duke hyrë në pazare me autokratët e tyre. Mjaftonte që këta të ishin të aftë të shtypnin turmat. Besimi se liria dhe demokracia janë nordi i politikës Perëndimore, kish marrë një goditje të rëndë. Një përjetim i tillë u reflektua edhe në median e kohës. Edhe në Shqipëri, skepticizmi për diplomacinë perëndimore u vizatua edhe më dukshëm.
    Në një artikull të publikuar në shkurt 2011, shqiptaro - amerikani, Geri Kokalari, denonconte pikërisht këtë “realpolitikë” të SHBA në Tiranë. Ishte koha kur në opinionin shqiptar po binte në sy mungesa e koherencës në diplomacinë amerikane. Njerëzit pyesnin të habitur sesi ishte e mundur që ndërsa Shtëpia e Bardhë deklarohej pro protestave në Tunizi apo Egjipt, në Tiranë, ambasada amerikane bënte thirrje që opozita të ndalonte protestat. Pikërisht në ato ditë, Kokalari shkruante:
    “Ndërsa shohim se si shpalosen ngjarjet në Egjipt nuk është e vështirë të bëhen krahasimet me Shqipërinë. Që të dyja vendet sundohen nga regjime autoritare dhe të korruptuara që kanë humbur sensin e realitetit. Qeveritë imorale të drejtuara nga Mubaraku dhe Berisha kanë përfituar nga një politikë e jashtme amerikane që ka për tendencë të marrë anën e stabilitetit në kurriz të lirisë e të dinjitetit... Politikëbërësit amerikanë dhe europianë u bëjnë thirrje shqiptarëve të shmangin protestat, kërkesë kjo që është në të mirë të interesave të tyre, por jo detyrimisht në të mirë të interesave të shqiptarëve. Në fund të fundit, diplomatët amerikanë që kërkojnë vetëpërmbajtje, gradohen më shumë për shfryrje të situatave të krizës se sa për promovim të ndryshimeve politike...” (Shiko: Geri Kokalari, Realpolitika amerikane dhe shqiptarët, Gazeta “Shekulli”, 14 shkurt 2011)
    Shihet qartë se edhe në perceptimin e Kokalarit, SHBA po zbatonin në Tiranë një realpolitikë cinike jo gjithnjë në përputhje me interesat e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Por nuk ishte vetëm ai që gjykonte kështu për politikën e jashtme amerikane. Tomas Fridman, në një artikull të tij, të ribotuar në gazetën “Shqip”, nënvizonte se duke mos pasur zë për të mbështetur në kohën e duhur revolucionin në sheshin “Tahrir”, administrata “Obama” e kish detyruar popullin egjiptian t’ia dilte vetë kundër Mubarakut. Ishte një ironi e hollë me moton fitimtare dhe krenare “yes, we can” të Obamës. Ja si shkruan më tej Fridman:
    “Që kur ka filluar revolta, Amerika, Izraeli dhe Arabia Saudite dukej se shpresonin se kishte dy zgjidhje – një e quajtur ‘stabilitet’ që në njëfarë forme do të përfshinte edhe Mubarakun, dhe tjetra e quajtur ‘destabilitet’, e cila ishte preferuar të shmangej. Le ta shtrojmë këtë sa më shtruar që mundemi: Këtu në Egjipt, stabiliteti ka lënë ndërtesën. Për këtë unë them kështu: çlirim i mirë. Ose siç ka thënë Ahmed Zewail, egjiptiano-amerikani fitues i ‘Nobelit’ për kimi, Egjipti ishte stabil gjatë tridhjetë viteve të kaluara, sepse nuk kishte vizion, asnjë aspiratë dhe po ‘stagnonte’”. (Tomas Fridman, Populli ia doli vetë, gazeta “Shqip”, 18 shkurt 2011)
    Pikërisht të njëjtën dilemë, mes “stabilitetit” dhe destabilitetit, duket se vuan diplomacia amerikane dhe përgjithësisht ajo perëndimore edhe në Tiranë. Dhe mjerisht, jo pak herë, ka sakrifikuar “destabilitetin” demokratik, në favor të stabilitetit autokratik të ofruar nga Berisha. Kjo diplomaci në ngërç ndaj aspiratave të sinqerta liridashëse dhe demokratike të jo pak njerëzve, që toleronte të jetonin pa liri për arsye më të larta “perëndimore” se liria e tyre, ky viktimizim jetësh dhe shpresash, duket se prevaloi në diplomacinë perëndimore sa, më në fund, detyroi edhe personalitete si fituesi i çmimit Pulitzer, Joel Brinkli, t’u bëjnë thirrje njerëzve botërisht:
    “Dilni në rrugë e mos mbani shpresë tek Amerika e as tek shtetet e tjera të paqëndrueshme perëndimore për ndihmë prej tyre”! (Shiko: Joel Brinkli, Dilni në rrugë, mos shpresoni tek Amerika, gazeta “Shekulli”, 16 shkurt 2011)
    Përveç një realpolitike të prirur të sakrifikonte lirinë dhe demokracinë reale për një stabilitet momental, duket se ka pasur edhe një faktor tjetër që nxiste deformimin e diplomacisë amerikane në Tiranë në favor të autokratizmit berishist. Ky faktor është një korrupsion galopant që gëlonte në kokën e shtetit shqiptar. Dhe a qe e mundur që një pushtet autokratik të mos përdorte korrupsionin, armën dhe qëllimin e pushtetit, për të mbrojtur vetveten ?

      Ora është Mon Dec 11, 2017 12:32 am